Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, gjatë një interviste televizive, diskutoi çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për tenderat publikë.
Sipas ligjvënëses, kultura e pandëshkueshmërisë është rrënjosur thellë në strukturat shtetërore dhe për ta çrrënjosur atë nuk mjaftojnë vetëm masat ndaj personave të veçantë, por kërkohet transformim i vetë sistemit.
“Pandëshkueshmëria ligjore është bërë ligj në vetvete dhe është bërë një mentalitet shumë i thellë që mban në këmbë institucionet. Duhet të goditet fenomeni, vetë sistemi, sepse nuk mjaftojnë vetëm individët. Drejtësia duhet të funksionojë dhe t’i japë fund pandëshkueshmërisë ligjore. Përballë drejtësisë dhe përballë popullit nuk ka të plotfuqishëm. Kjo është ajo që kanë kërkuar prej kohësh protestuesit në shesh”, deklaroi ajo.
E pyetur në lidhje me peshën politike që Balluku mund të ketë ende pavarësisht hetimeve, deputetja theksoi se vendndodhja e saj aktuale dëshmon se ajo vazhdon të ushtrojë ndikim.
“Sa kohë është prezente në Kuvend, nuk mohohet ndikimi në sferën e pushtetit”, u shpreh Koçeku.