Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Koçeku flet për bisedat me ndërkombëtarët: Protestat do të shënojnë kulmin më të lartë

E ftuar në emisionin Prime News24, deputetja e pavarur Marjana Koçeku ndau detaje nga takimet me diplomatët e huaj dhe paralajmëroi se protestat në vend do të intensifikohen.

Koçeku bëri të ditur se përfaqësitë ndërkombëtare po e ndjekin zhvillimin e ngjarjeve me vëmendje të shtuar. Ajo theksoi se diplomatët shprehin mbështetje për çdo zhvillim demokratik.

“Që kur kam dhënë dorëheqjen si deputete e PS, kam pasur takime me diplomatë të huaj, edhe në Bruksel disa herë, por edhe me përfaqësitë diplomatike që janë në vendin tonë. Po monitorojnë situatën nga afër dhe me shumë kujdes, pavarësisht se pozita e tyre dhe gjuha diplomatike nuk ua lejon shpesh herë që të shprehen ashtu siç do të donim ne ose ashtu siç kemi ne pritshmëritë. Ata mbështesin çdo rrymë demokratike, është sigurisht e tillë dhe kjo që po ndodh, por faktorët e dhunës shpesh herë dhe penalizojnë, për të pasur një mbështetje haptazi. E kam parë se kanë një qasje pozitive ndaj reagimit dhe tentativës për të krijuar një kulturë të re politike shqiptare, nëpërmjet kësaj lëvizjeje”, tha Koçeku.

Ligjvënësja solli në vëmendje nevojën për një bashkim të gjerë opozitar me synim ndryshimin e qeverisë, duke shtuar se tubimet popullore pritet të arrijnë përmasa edhe më të mëdha.

“Thirrjet e sheshit janë kundër gjithë establishmentit që kanë qenë në pushtet për 36 vite. Bashkimi i të gjitha forcave opozitare do ishte tepër pozitive. Bashkimi nuk duhet të konsiderohet i pamundur. Kjo, sepse edhe vetë protesta përpara se të ndodhte, nuk e imagjinonim se do bëhej kaq e madhe. Kryeministri Rama do që të ketë përçarje, kjo i leverdis. Por duhet një bashkim i gjerë, që të jetë kundër kësaj qeverie në një front. Ajo që ndodhi në Serbi mund të jetë shembull edhe për Shqipërinë, patjetër, pavarësisht se atje ka një tjetër realitet. Ka një presion të tepruar ndaj protestuesve që të kenë version politik, sepse pesë muaj nuk janë shumë për të nxjerrë një përfaqësi. Besoj se protesta të bëhet akoma më e madhe. Do të kenë kulminacion më të madh”, u shpreh Koçeku.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)