Autoritetet policore kanë publikuar informacionet paraprake lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, ku humbi jetën një efektiv policie dhe mbeti i plagosur një 63-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja u regjistrua rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin nga Fieri drejt Vlorës. Një automjet tip “Toyota”, i drejtuar nga shtetasi E. L., dyshohet se ka humbur kontrollin si pasojë e motit të keq dhe është përplasur me një mjet tip skrep, që drejtohej nga 63-vjeçari Thanas Poçaj.
Nga goditja, drejtuesi i “Toyota”-s, shtetasi E. L., i cili shërbente si oficer policie në DVP Vlorë, ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, shtetasi Th. P. u dërgua në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe, nën kujdesin e Prokurorisë, po punon intensivisht për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij aksidenti.