Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Debat në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri dhe Bylykbashi përplasen për ecurinë e procesit

Tensionet mes palëve politike janë rindezur në tryezën e Reformës Zgjedhore, ku drejtuesit e komisionit kanë shkëmbyer kritika të ndërsjella mbi ecurinë e punës.

Damian Gjiknuri ngriti shqetësimin se qëndrimi bojkotues i opozitës rrezikon mbarëvajtjen e komisionit, duke bërë thirrje për një angazhim të përbashkët drejt zgjidhjeve praktike. Ai theksoi se socialistët posedojnë paketën e gatshme për administratën zgjedhore dhe janë në pritje të diskutimeve rreth sistemit.

Nga ana e saj, opozita përmes Oerd Bylykbashit hodhi akuza ndaj Partisë Socialiste për shmangie të pikave thelbësore të dala nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke humbur kohë me çështje dytësore. Sipas tij, domosdoshmëri mbetet shkëputja e shtetit nga procesi zgjedhor për të siguruar një garë të barabartë, krahas kërkesës së përsëritur për lista plotësisht të hapura në parlament dhe këshillat bashkiakë.

Damian Gjiknuri u shpreh: "Ligji është i plotë. Ju keni pikëpamje tjetër dhe nuk keni një propozim konkret. Po rrezikohet ecuria e Komisionit. Nuk duhet përdorur integrimi europian në një tekë. Duhet të gjejmë zgjidhje. Megjithëse mazhoranca i ka 84 mandate, sërish ka pritur mendimin e opozitës. Komisioni po bllokohet për shkak të bojkotit të opozitës. Ne kemi gati paketat, qoftë për administratën zgjedhore të paanshme. Ne presim çështje teknike për sistemin. Nëse duamn të bëjmë ndryshime tek Zgjedhorja, le të diskutojmë për shkurtim të numrit të deputetëve. Ligji zgjedhor është ligj shumë i mirë, qoftë dhe me ndryshimet imediate. Unë e kuptoj strategjinë, nisur dhe nga sfondi i ngjarjeve. Jo çdo propozim i juaji do të thotë se miratohet, por kalon nga opinioni i ODIHR-i."

Oerd Bylykbashi u shpreh: "Ka një mungesë të hapur të përgjegjësisë së PS-së për të trajtuar çështjet kryesore që ka Komisioni i Reformës, që dmth të trajtojë çështjet e ngritura nga OSBE ODIHR. Komisioni konsumon kohën, duke u marrë me çështje, që nuk janë prioritet. Ligji për financimin e partive politike është çështja e fundit që shqetëson Komisionin. Duhet të ndajmë shtetin nga partia dhe të mos hedhin paratë e shtetit në fushata. Pas këtyre, mund të flitet më pas për financimin e partive politike, pasi janë të ndërthurrura. Ne propozojmë një paketë, që ndan shtetin nga procesi zgjedhor. Duam lista të hapura 100 përqind. Duhet listë e hapur 100 përqind edhe për Këshillin Bashkiak. Deri tani për propozimet tona kemi vetëm “Jo”. Nëse ka normalitet, do keni propozimin tonë. PS ka bllokuar miratimin e Kodit Zgjedhor, derisa të kalonte edhe teka e fundit e Partisë Socialiste. Këtë trashëgimi ka lënë PS-ja në politikën shqiptare. Ne kemi gati paketën për ndarjen e shtetit nga zgjedhjet. Pa të nuk ka zgjedhje të barabarta, të lira dhe të ndershme."

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)