Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Buxheti 2027, SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së dhe fonde për pajisje e mjete

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shtimin e një psikologu në strukturën e saj për vitin 2027, duke e arsyetuar këtë me ngarkesën e lartë, kërcënimet dhe presionet psikologjike që përballojnë hetuesit e BKH-së.

Kjo kërkesë u bë e ditur gjatë paraqitjes së projektbuxhetit për vitin 2027 në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Armand Shini, drejtor i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, tregoi se psikologu do të ndihmojë punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe do të ndihmojë hetuesit gjatë pyetjes së dëshmitarëve në rrezik dhe të penduarve të drejtësisë.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.

Gjatë seancës dëgjimore, institucioni parashtroi nevojat për rritjen e stafit dhe investimet për vitin e ardhshëm, ku kërkohen gjithsej 25 vende të reja pune, nga të cilat tetë i përkasin Prokurorisë së Posaçme dhe 17 i takojnë BKH-së. Korniza aktuale organike llogarit 339 vende, ndërkohë që numri i punonjësve aktivë është 220, duke lënë 119 vende të lira, kryesisht brenda BKH-së.

Në drejtim të investimeve, janë llogaritur 15 milionë lekë për orendi zyre si kasaforta, grirëse letrash e mobilje, 30 milionë lekë për sigurimin e tetë automjeteve të reja, si dhe 174 milionë lekë të dedikuara për pajisje elektronike dhe sisteme teknologjike.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)