Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Ben Blushi flet për Tiranën, tensionet Rama-Veliaj dhe protestat: Janë kohë të çmendura

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, shkrimtari Ben Blushi diskutoi rreth veprës së tij më të re, “Historitë e çmendura të Tiranës”, duke u ndalur edhe te situata politike dhe protestat në vend.

Gjatë bisedës, ai u pyet lidhur me zhvillimet e fundit, thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mosmarrëveshjet mes tij dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Blushi vuri në dukje se kryeqyteti po kalon një periudhë anormale, ndërsa theksoi se dhuna në protesta është pasojë e problemeve të mbartura gjatë tre dekadave e gjysmë të tranzicionit.

“Besoj se po janë kohë të çmendura në Tiranë. Tranzicioni jonë është pak më i gjatë, janë 35 vitet tona nga momenti që ra komunizmi e deri më sot. Ecim në një drejtim të caktuar dhe nuk po arrijmë dot. Kam hequr dorë dhe përpiqem që kur dal të kem distancë, nuk dua të flas për politikën, ndikon te humori im. Për protestën , do toja të ishin më pak të dhunshme por ndoshta kjo është edhe për shkak të akumulimit”, u shpreh ai.

Lidhur me kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kreut të qeverisë, shkrimtari zgjodhi të mos jepte ndonjë vlerësim, duke theksuar se i ka lënë pas këto çështje dhe se është tërhequr nga komentimi i zhvillimeve politike.

Sa i përket fërkimeve mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Blushi u përgjigj shkurt se ky situacion përbën vijimin e një lidhjeje jo fort të mirë mes tyre.

“Është rrjedhë logjike e një raporti jo shumë të shëndetshëm midis tyre”, tha ai.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)