Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Avokati Plarent Ndreca denoncon bllokimin e takimit me Erion Veliajn: Do të kallëzoj drejtorinë e burgut të Fierit

Avokati Plarent Ndreca ka ngritur sërish shqetësimin se autoritetet e paraburgimit të Fierit e kanë penguar të takojë klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, stafi i burgut nuk e ka lejuar hyrjen me pretendimin se mungonte personeli dhe se rregullorja nuk lejon vizita jashtë orarit zyrtar.

Ndreca e ka kundërshtuar këtë vendim, duke u mbështetur te neni 51 i ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, i cili garanton praninë e mbrojtësit ligjor pranë klientit në çdo kohë. Pas një diskutimi të tensionuar me rojet që zgjati rreth 20 deri në 30 minuta, ai nuk arriti të siguronte hyrjen në institucion.

Avokati bëri të ditur se do të dorëzojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës ndaj strukturës drejtuese të paraburgimit.

“Justifikimi është sikur nuk ka personel, sikur ka një rregullore e cila ndalon hyrjen jashtë orarit zyrtar. Ndërkohë që iu komunikova disa herë faktin që ka një ligj i cili duhet respektuar, dhe ne jemi dëshmitarë të një ligji që rregullon marrëdhëniet e burgjeve, organizimin e burgjeve. Përcakton shumë qartë që avokati, ashtu siç edhe prokurori, ashtu siç edhe gjyqtari, hyn në çdo kohë për t’u takuar me klientin e tyre,” u shpreh Ndreca.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)