Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Agim Baçi: Opozita po refuzohet si qeveria, Berisha duhet të reflektojë

Analisti Agim Baçi ka deklaruar se mospranimi i opozitës nga qytetarët është shqetësues dhe ngjan me pakënaqësinë ndaj qeverisë, duke shtuar se Sali Berisha duhet të rishqyrtojë rolin e tij në Partinë Demokratike.

Gjatë një interviste televizive, Baçi u shpreh se fakti që protestuesit kërkuan praninë e demokratëve por jo të deputetëve pëubën një moment të vështirë për forcën kryesore opozitare. Sipas tij, refuzimi i qytetarëve ndaj opozitës duket i ngjashëm me atë ndaj qeverisë, duke theksuar se Sali Berisha duhet të rishikojë pozicionin e tij brenda Partisë Demokratike.

“Është një nga ato ditët e trishta për PD-në. Nuk e di çfarë duhet të ndodhë më që zoti Berisha ta rimendojë edhe njëherë atë pozicionin e vet brenda Partisë Demokratike, sepse është e trishtueshme që refuzimi i madh të jetë njësoj për opozitën dhe për qeverinë,” tha Baçi.

Gjithashtu, ai kritikoi qasjen e opozitës ndaj protestave, duke përmendur shembuj nga rajoni dhe duke theksuar se lëvizja qytetare duhet të ruajë karakterin e saj popullor pa u politizuar tërësisht nga partitë.

“Është protestë popullore. Në qoftë se do të merrte ngjyrimin dhe do të bëhej njësh me opozitën, zoti Rama do ta kishte shumë më të thjeshtë për të thënë që është një protestë normale e opozitës. Opozita këtë detyrë ka, të ngrihet në bulevard dhe të kërkojë zgjedhje të reja. Është misioni i opozitës që ditën e parë të kërkojë ndryshime të qeverisë. Kështu do t’u hiqte peshën atyre që kanë ndërtuar studentët dhe qytetarët në protestë,” u shpreh analisti.

Lidhur me idenë e referendumit për kryeministrin, analisti e quajti atë një shaka të madhe, duke argumentuar se zgjedhjet janë tashmë një votëbesim për drejtuesin e formacionit politik.

“Deklarata për tërheqje është: unë nuk do të jem fare kandidat për kryeministër. Çfarë do të thotë referendum? Pasi të votojnë shqiptarët, çfarë referendumi do të bësh? Zgjedhjet janë njëkohësisht edhe referendum. Nëse njerëzit zgjedhin një forcë politike, kanë zgjedhin edhe kreun e asaj force politike për kryeministër. Nuk ke pse t’i thyesh prapë dhe të bësh një referendum. Kjo është një shaka shumë e madhe,” deklaroi Baçi.

Në përfundim, ai nënvizoi nevojën që opozita të rikthejë besimin e humbur dhe të bëhet një alternativë reale për ndryshimin e pushtetit përmes dialogut të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Ka vetëm një gjë: rikthim të opozitës në një debat shumë të fortë me qytetarët, sepse opozita ka vetëm një qëllim, të bëhet ajo shpresa, instrumenti që qytetarët besojnë se përmes saj bëhet rotacioni,” u shpreh Baçi.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)