Gjatë daljes së përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, përfaqësuesja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Sofia Moreira de Sousa, ka ndarë konkluzionet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke vënë theksin te sfidat e mbetura. Ndërsa njohu hapat para të bërë në rrugën drejt integrimit, diplomatja u ndal te korrupsioni në nivele të larta dhe te domosdoshmëria e një reforme zgjedhore që përfshin spektrin e gjerë politik.
De Sousa u shpreh se puna e organeve të drejtësisë, veçanërisht e SPAK-ut, duhet të vijojë, pasi paligjshmëria e kësaj natyre paraqet ende një problematikë konkrete që kërkon vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm. Ajo shtoi se çdo ndryshim e ka bazën te konsolidimi i gjyqësorit dhe ndjekja penale e zyrtarëve të lartë.
Lidhur me situatën demokratike, ambasadorja përmendi tensionet mes forcave politike, kontrollin e dobët të parlamentit mbi ekzekutivin dhe mangësitë në dialogun e gjerë. Për këtë arsye, ajo e quajti të domosdoshme ndërmarrjen e menjëhershme të ndryshimeve në ligjin zgjedhor, të cilat nuk duhet të mbeten peng i marrëveshjeve mes dy forcave më të mëdha.
“Dje KE miratoi raportin vjetor për Shqipërinë, të cilin unë sapo ia dorëzova kryeministrit, ndërsa më herët ia dorëzova Presidentit. Mesazhi raportit është i thjeshtë, Shqipëria ka ecur përpara. Sa i përket korrupsionit dhe krimit, raporti evidenton progres të mirë, përpjekjet e SPAK duhet të vijojnë sepse korrupsioni mbetet sfidë reale. Çdo reformë duhet të mbështetet në reformën në drejtësi për forcimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimit dhe ndjekjeve të rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë thellësisht të polarizuar, mbikqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë kuptimplota të konsultimeve. Reforma Zgjedhore është urgjente. Kjo kërkon proces gjithëpërfshirës që shkon përtej dy partive kryesore”, u shpreh ajo.