Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

A frikësohet Berisha se PD mund të përfundojë si opozita në Serbi? Kreu i demokratëve sqaron dallimet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur rreth mundësisë së krijimit të një force të re politike nga studentët protestues, duke përjashtuar çdo ngjashmëri mes Shqipërisë dhe skenarit serb.

Gjatë një përgjigjeje për një qytetare lidhur me zërat për një front të ri studentor, Berisha vlerësoi se liria e organizimit politik është një gur themeli i demokracisë.

“Unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik. Për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, deklaroi Berisha.

Megjithatë, ai argumentoi se konteksti shqiptar ndryshon rrënjësisht nga ai në Serbi. Sipas tij, në shtetin fqinj lëvizja e studentëve u udhëhoq nga vetë struktura zyrtare universitare, ku në krye qëndronin rektori i Universitetit të Beogradit dhe dekanët.

Politikani opozitar përmendi gjithashtu kohëzgjatjen dyvjeçare të atyre protestave, që zgjatën për më shumë se 700 ditë, si dhe faktin se të rinjtë atje kishin përballë parti të vogla që nuk siguronin më shumë se 7-8% të mbështetjes totale.

“Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”, theksoi Berisha, duke vënë në pah peshën e forcës së tij në skenën vendase.

Në mbyllje, kreu i opozitës u dha të drejtë studentëve për çdo nismë të tyren, por u sugjeroi të shmangin çdo perceptim që ai e quajti jorealist për situatën politike.

Këto komente vijnë në një periudhë kur në mesin e protestuesve është diskutuar ideja e ngritjes së një alternative të re, të ndarë si nga Partia Socialiste ashtu edhe nga Partia Demokratike.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)