Besmir Malo, student dhe vullnetar i ndihmës së parë për protestuesit, ka denoncuar në News24 dhunën e forcave të rendit dhe mungesën e autoambulancave në terren gjatë protestave.
Malo deklaroi se shumë të rinj janë bërë bashkë për të ofruar ndihmë mjekësore aty ku mungojnë institucionet, duke e quajtur situatën të paparashikueshme dhe me raste të rënda. Ai solli në vëmendje ngjarjen e një vajze rreth 20 vjeçe, e cila u godit në kokë nga një predhë gazi lotsjellës dhe pësoi fraktura, teksa situata vështirësohej nga ndërhyrja e policisë dhe një gazetar i Syri TV e futi brenda për ta shpëtuar.
Gjithashtu, vullnetari përmendi rastin e një djali që u godit nga policia, për të cilin u deshën dy orë për ta nxjerrë në zonë të sigurt. Ai kritikoi mënyrën e menaxhimit të situatës, duke pohuar se dhuna ka eskaluar që prej protestës para Parlamentit dhe se po dëmtohen qytetarë të pafajshëm.
“Po përballemi me dhunë policore. Shumë të rinj janë angazhuar shumë, ka nisur një solidarizim nga ata, që po mundohen që të ndihmojnë në atë sektor ku mungon ndihma, pasi nuk ka ambulanca. Situata ku jemi është e paparashikueshme për ne. Në çdo moment kemi pasur raste të rënda.
Rasti më i vështirë që kam pasur ka qenë para 3 ditësh. Një vajzë rreth të 20-ave u godit nga një predhë e policisë e gazit lotsjellës dhe pësoi fraktura në kokë. U gjenda dhe në vështirësi se policia po na sulmonte me gaz. Gazetari i Syri-t e mori vajzën brenda, se situata ishte shumë e rëndë. Jam gjendur në vështirësi dhe në shumë raste të tjera. Siç ishte me një djalë, që u godit me gurë nga policia. Kemi pritur 2 orë për ta nxjerrë djalin në një vend të sigurt. Lufta e vërtetë është në terren, ndaj i bëj thirrje instancave që të kenë të pranishme ambulanca në protestë. Në rastin ku jemi, merremi me raste të jashtëzakonshme, kemi vetëm vullnetarizmin.
Atë që shoh dhe ndiej si baba i një 13-vjeçari, mendoj se kjo rini po na jep mesazhin më të bukur. Ne nuk kemi më rini. Ndaj duhet ta mbrojmë këtë që kemi. Shqiptarët ia kanë arritur që të japin mesazhin e tyre. Kjo situatë në të cilën kemi ardhur sot, dhuna e policisë ka eskaluar që te protesta para Parlamentit. Po e pësojnë qytetarët e pafajshëm. Nuk jam i vetmi person që mund ta konfirmojë këtë, pasi janë pamjet. Policia ka humbur kontrollin e saj. Nëpër cepa ajo abuzon dhe dhunon në mënyra që nuk janë proporcionale. Kemi një polici të rendit që po urdhërohet.”