Një konflikt verbal ka ndodhur pranë shkollës së mesme “Partizani” mes drejtuesit të Policisë së Tiranës, Oliger Torba, dhe gazetarit Klevin Muka. Ngjarja ka përfshirë edhe përplasje fjalësh me një prind që ndodhej në zonë, ndërkohë që pjesa më e madhe e nxënësve kanë bojkotuar mësimin.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes, kreu i bluve të kryeqytetit i është drejtuar reporterit Muka duke i kërkuar që të fokusohet te detyra e tij, ndërsa ky i fundit ia ka kthyer se askush nuk ka të drejtë t'i diktojë punën. Debati është shtrirë edhe te një qytetar, të cilit zyrtari i policisë i ka kërkuar llogari për praninë e tij brenda zonës së sigurisë, duke i kërkuar gjeneralitetet me pretendimin se shfaqte interes të tepruar për institucionin arsimor.
Përplasja ka vijuar me shkëmbimin e replikave, ku prindi është shprehur se qëndrimi në trotuar nuk përbën shkelje, kurse zyrtari policor ka përsëritur se nuk ka detyrim të jep sqarime të hollësishme dhe i ka kërkuar gazetarit të largohet. Për më tepër, në gjimnazin “Partizani” vetëm dy klasa po vijojnë orët e zakonshme, pasi nxënësit e tjerë kanë vendosur të bojkotojnë mësimin për t'u bashkuar me protestën.