Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama kundër televizionit News24, duke shprehur solidaritetin me stafin dhe duke dënuar çdo formë presioni ndaj fjalës së lirë.
Në mesazhin e tij, Blushi ka kujtuar se ky televizion ka përballuar sfida të rënda, përfshirë ngjarje si vendosja e tritolit, dhuna ndaj gazetarëve, gjobat nga organet tatimore dhe uzurpimi i ambienteve të punës.
"Me kërcënime, Edi Rama ta harrojë se mund ta nënshtrojë apo ta rrëzojë News24", shprehet ai, duke shtuar se asnjë akt i tillë nuk ka mundur dhe nuk do të mundë ta heshtë zërin e kësaj mediaje.
Gjithashtu, zyrtari i PL-së ka vlerësuar lart guximin dhe profesionalizmin e gazetarëve dhe punonjësve të redaksisë, të cilët sipas tij vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të saktë, pavarësisht vështirësive të vazhdueshme nga pushteti.