Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Rritet fitimi i bankave në gusht, por mbetet poshtë performancës së vitit të kaluar

Sektori bankar shënoi një përmirësim të fitimit gjatë muajit gusht, megjithëse treguesit mbeten ende më të ulët se një vit më parë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kthimi nga kapitali për bankat u ngjit në 14.3% në mbyllje të tetëmujorit, duke u rritur nga 13.7% që ishte regjistruar në korrik. Pavarësisht se ky tregues preku pikën më të lartë për vitin 2026, ai mbetet sërish poshtë nivelit prej 16.02% të shënuar në gusht të vitit të kaluar.

Në të njëjtën linjë, edhe kthimi nga aktivet shënoi përmirësim duke arritur në 1.71%, që përbën nivelin më të lartë të këtij viti, ndonëse në periudhën e ngjashme të vitit të kaluar ky tregues ishte 1.93%.

Përmirësimi i rentabilitetit vjen kryesisht nga zgjerimi i rezultatit financiar, ku fitimi neto i sektorit për periudhën janar-gusht arriti në 22.75 miliardë lekë, duke u rritur me 3.75 miliardë lekë ose rreth 19.5% krahasuar me shtatëmujorin, ndonëse rezultati mbetet rreth 3.2% më i ulët se në tetëmujorin e vitit 2025.

Performanca pozitive e bankave po mbështetet nga rritja e normave të interesit, veçanërisht për monedhën euro dhe pjesërisht për lekun, ndërsa cilësia e aktiveve vijon përmirësimin e ngadaltë ku raporti i huave me probleme zbriti në 3.66% në fund të gushtit, duke shënuar një minim historik të 18 viteve të fundit falë hovit të kreditimit, portofoli i të cilit arriti në 1 trilion e 7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 11.8%.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)