Kryeministri Edi Rama është rikthyer sërish te protestat e studentëve, duke theksuar se shteti mund të vonojë reagimin, por nuk harron kurrë. Ai i ka cilësuar protestuesit si “sorra dhe korba” që kanë dëmtuar turizmin, ndërsa ka njoftuar ngritjen e një hapësire digjitale për ata që dëshirojnë të dialogojnë.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se qeveria siguron fondet për studentët nga bizneset në vend, duke përmendur shifrën prej 100 milionë eurosh për konviktet. Ai shtoi se Pakti për Universitetin nuk përbën një premtim bosh, duke kujtuar se bursat për studentët në nevojë janë rritur në 25 mijë lekë dhe janë shtrirë edhe në nivelin Master, krahas nismave për strehim dhe kreditë e buta me interes zero deri në tre për qind.
Kryeministri bëri të ditur se do të krijohet një dritare digjitale për të gjithë studentët që duan të flasin lirshëm, por ndiejnë frikë. Sipas tij, vendi ka nevojë për stabilitet, qetësi dhe punë, pasi zgjatja e protestave me qëllim destabilizimi ka prekur ekonominë dhe ka larguar investitorët. Rama e mbylli fjalën e tij duke ritheksuar se qeveria vepron me forcën e ligjit dhe se “shteti asnjëherë nuk harron”.