Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Paulin Sterkaj: Policia nuk zgjidh krizën politike, RENEA të mos përdoret si instrument

Ish-deputeti socialist Paulin Sterkaj ka bërë thirrje që Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA të mos përfshihen për të zgjidhur një krizë me natyrë politike, duke kërkuar nga qeveria që të dëgjojë qytetarët dhe të gjejë rrugëdalje përmes dialogut.

Duke u nisur nga përvoja e tij e mëparshme në krye të forcave speciale dhe në Policinë e Shtetit, Sterkaj u shpreh se efektivëve nuk mund t'u kërkohet të përballojnë zemërimin popullor pa u dhënë përgjigje shkaqeve të vërteta të tij. Ai theksoi se RENEA nuk përbën një zgjidhje politike dhe se angazhimi i saj kërkon nevojë konkrete dhe proporcionale me ligjin.

Sterkaj pranoi se dhuna, sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme, por shtoi se kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për përdorimin e pakufizuar të forcës nga shteti. Ai u ndal veçanërisht te trajtimi i fëmijëve dhe të miturve, duke kërkuar që ata të mbrohen dhe të mos bëhen objekt i një reagimi të pakontrolluar policor.

Sipas tij, qeveria duhet të ketë kurajën t'i dëgjojë pakënaqësitë e thella shoqërore dhe të rinjtë, duke e konsideruar hapjen e dialogut si një shenjë force dhe jo dobësie. Sterkaj u bëri thirje gjithashtu strukturave dhe figurave drejtuese të Partisë Socialiste të mos e ngatërrojnë solidaritetin partiak me mbrojtjen e korrupsionit apo justifikimin e dhunës, duke kërkuar distancim nga sjelljet që cenojnë besimin e qytetarëve te institucionet.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)