Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj protestuesve dhe të rinjve që kërkojnë largimin e tij, gjatë një transmetimi live ku diskutoi mbi zhvillimet e fundit dhe teoritë e qarkulluara.
Gjatë fjalës së tij, Rama i quajti marrëzi pretendimet se mes personave që janë përplasur me policinë mund të ketë shtetas serbë, duke shtuar se një frymë e tillë nuk do ta përfshijë popullin shqiptar apo qytetarët që kundërshtojnë kabinetin qeverisës.
Kryeministri solli në vëmendje edhe situatat e protestave në shtete si Franca, Italia, Belgjika e Spanja, duke përmendur lëvizjet “Antifa” dhe neokomuniste, për të cilët përdori shprehjen se nuk kanë mend në kokë dhe janë “komplet kokë bosh”.
Pjesë nga deklarata e Edi Ramës:
“Qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që qenkan nën uniformën e atyre djemve dhe burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është marrëzi, por nuk është kolektive për fat të mirë, dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie, sepse këtë film ne e kemi parë.
Ndryshe nga Franca, Italia, Brukseli e Belgjika, Spanja e këto vende ku kjo flamë e quajtur Antifa, neokomunistë, ne u marrim të keqen atyre të parëve Karl Marksit e kujt i erdhi mbrapa, se të paktën ata i kishin mend në kokë, këta nuk kanë as mend fare, janë komplet kokë bosh.
Ndërkohë që këtu nuk është si atje. E kemi parë Shqipërinë në kaos, peng të marrëzisë, të humbasë ekonominë, të mos afrohet askush nga pasiguria, të ngrihen njerëzit e të ikin me anije. Njerëzit po, sot lëvizin, ikin, kthehen. Më shumë ikin sesa kthehen, sigurisht, sepse nuk jemi në bunkerin e Enver Hoxhës”