Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Izrael tregojnë se asnjë kamp politik nuk siguron dot shumicën e nevojshme prej 61 mandatesh për të krijuar qeveri, duke lënë të paqartë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm.
Sipas të dhënave të deritanishme, partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu pritet të sigurojë rreth 28 ulëse, por blloku i tij i djathtë dhe ultra-ortodoks nuk arrin shumicën. Partia Yashar e ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, rivalit kryesor të Netanyahut, del forca e dytë me rreth 22 vende, ndërsa blloku i “ndryshimit” që ai udhëheq numëron rreth 47 mandate. Nga ana tjetër, partitë arabe pritet të fitojnë të paktën 17 vende së bashku, duke u shndërruar në faktor kyç. Ndërkohë, konsultimet formale me presidentin e vendit, Isaac Herzog, nisin javën e ardhshme për të përcaktuar kandidatin për kryeministër. Analistët sjellin në vëmendje se para 10 vjetësh situata mund të kishte zgjidhje të tjera, por sot ndarjet janë thelluar. Ja tre skenarët kryesorë që diskutohen.
Opsioni 1: Blloku i “ndryshimit” së bashku me partitë arabe
Pavarësisht premtimeve se nuk do të bashkëpunonin me partitë arabe, disa prej figurave të opozitës mund të detyrohen të ndryshojnë qasje. Udhëheqësi i fraksionit islamist Ra’am, Mansour Abbas, ka ofruar sërish bashkimin e forcave. Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, u shpreh të mërkurën për Agjencinë Telegrafike Hebraike: „Është e qartë se kjo po del si një mundësi matematikisht dhe politikisht“. Ai shtoi se: „Është padyshim jo vetëm një shkelje e premtimeve të fushatës, por mendoj se opinioni publik izraelit është thellësisht i papërgatitur për një mundësi të tillë“, duke sjellë në kujtesë se toleranca ndaj islamistëve ka rënë pas sulmeve të 7 tetorit 2023 të udhëhequra nga Hamasi. Një tjetër mundësi është krijimi i një qeverie minoritare nga blloku i ndryshimit, e cila mund të arrijë deri në 65 vende nëse mbështetet nga fraksionet arabe në votimet kyçe pa u bërë pjesë e kabinetit. Profesor Jonathan Rynhold nga Universiteti Bar-Ilan vlerëson se udhëheqës si Avigdor Lieberman mund të tërhiqen nga kundërshtimi nëse Eisenkot bëhet kryeministër.
Opsioni 2: Krijimi i një qeverie uniteti
Duke qenë se partitë e qendrës dhe të djathtës zotërojnë një peshë të madhe në parlament, nuk përjashtohet një marrëveshje mes tyre. Plesner shprehet se: „Mendoj se ndoshta është më e mundshme që të ketë negociata serioze rreth një qeverie uniteti“. Sipas tij, Netanyahu mund të synojë një koalicion me aleatët e tij aktualë dhe të tërheqë një nga partitë e opozitës, ndërsa blloku i ndryshimit mund të kërkojë largimin e elementëve të ekstremit të djathtë ose të partive ultra-ortodokse që kundërshtojnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm për burrat haredi.
Opsioni 3: Një raund tjetër zgjedhjesh
Megjithëse Gadi Eisenkot deklaroi në natën e zgjedhjeve se pas një pjesëmarrjeje prej 77.7% — shifra më e lartë që prej vitit 1999 — do të ishte gabim të përsëriteshin zgjedhjet, ky mbetet një skenar shumë i mundshëm për shkak të ngërçit ideologjik. Për Netanyahut, mbajtja e detyrës si kryeministër i përkohshëm gjatë një fushate të re mund të jetë opsioni më i favorshëm. Një krizë e ngjashme ndodhi nga viti 2019 deri në zgjedhjet e marsit 2021, ku pas disa votimeve u formua një aleancë që e rrëzoi atë, përpara se zgjedhjet e nëntorit 2022 ta rikthenin sërish në pushtet. Gideoni Rahat nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit pranon se situata është tejet komplekse. Ndërkohë, Plesner thekson se ky është „kohë që politikanët të bëhen krijues“, duke paralajmëruar se mund të duhen javë ose muaj para se të zgjidhet drejtuesi i ri i vendit.