Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë pas zhvillimeve të fundit dhe protestave të të rinjve në kryeqytet, duke e vënë theksin te dhuna e përdorur nga policia dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave.
Gjekmarkaj u ndal te reagimi i kreut të qeverisë në rrjetet sociale, duke e akuzuar se shfaqi sërish pakënaqësi ndaj gazetarëve dhe mediave që po pasqyrojnë protestën. "Shtyrjet e gorillave të tij ndaj gazetarit Renaldo Salianji, të televizionit News24, dhe dhuna ndaj Elkier Bushkolajt, të televizionit Syri, nuk paskëshin qenë rastësi. Kryeministri përsëri sot e shfaqi hapur mllefin e bezdinë ndaj mediave si News24, që po i jep zë një aspirate kaq të madhe si kjo e studentëve shqiptarë! Këto janë shenja të një kulture autoritare që te dhuna përshfaq formën më të plotë", deklaroi Gjekmarkaj.
Ai përmendi gjithashtu pamjet e dhunës ndaj studentëve, përdorimin e plumbave të gomës dhe efektivët e paidentifikuar, duke kërkuar nga SPAK që të hetojë dhe të vërë përpara përgjegjësisë personat që kanë shkelur ligjin, pavarësisht uniformës që mbajnë.