Gjatë një paraqitjeje televizive, studenti Aurel Kujtimi ka analizuar protestat e fundit kundër ekzekutivit, duke theksuar se qytetarët janë ngritur në revoltë për shkak të pasigurisë në vend.
Sipas tij, situata ekonomike dhe sociale është rënduar ndjeshëm që nga viti 2018, ndërsa shtoi se rinia përballet çdo ditë me papunësi, të ardhura të pakta dhe keqqeverisje. Kujtimi e quajti kabinetin aktual një qeveri krimi dhe akuzoi forcat e rendit për sjellje vandale gjatë tubimeve.
"Ndaj të rinjve po ushtrohet dhunë barbare. Këta policë janë banditë që janë veshur me uniforma. Ne po shohim vëllezërit dhe motrat tona që po rrihen për çdo ditë. Nëse po dhunohemi 100 herë, 1000 herë do dalim në shesh. Rinia e sheh se situata është shumë e rëndë, ka papunësi, keqqeverisje dhe paga të ulëta. Ky kryeministër duhet që të largohet," u shpreh ai në fjalën e tij.
Në përmbyllje të prononcimit, ai bëri thirrje për largimin e kryeministrit dhe krijimin e një kabineti teknik, duke pohuar se qytetarët ndihen të kërcënuar kur dalin në rrugët e vendit.