Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga autoritetet në Shqipëri që t'i kushtojnë vëmendje dhe të shqyrtojnë kërkesat e studentëve që po protestojnë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu bëri të ditur se ngjarjet në Shqipëri përcillen me vëmendje dhe shqetësim në Kosovë, duke vënë në dukje lidhjen e ngushtë mes dy shteteve.
“Secili në Kosovë i ka përcjellë zhvillimet në Shqipëri. Ajo çfarë po ndodh atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi”
Ajo shtoi se institucionet kryesore të shtetit shqiptar kanë detyrimin të merren me kërkesat e të rinjve, ndërsa u shpreh kundër çdo forme dhune, duke kërkuar që ajo të marrë fund nga të dyja krahët.
“Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e kanë për obligim që t’i trajtojnë kërkesat e studentëve. Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, ajo duhet të ndalohet nga të dyja palët”
Gjithashtu, ajo bëri thirrje për një trajtim serioz të situatës nga ana e pushtetit, duke tërhequr vëmendjen se sjelljet arrogante mund t'i japin më shumë vrull protestave.
“Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta – jo arroganca. Mendoj që arroganca vetëm i nxit protestat”