Kreu i shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar mbrojtje afatgjatë dhe të besueshme për sigurinë e vendit, duke vënë në dukje se anëtarësimi në NATO mbetet zgjidhja kryesore ndaj agresionit rus.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, pas bisedimeve brenda Koalicionit të të Vullnetshmëve, Zelensky u shpreh se integrimi i vendit të tij në Aleancë përbën një mbrojtje vendimtare për Kievin dhe njëkohësisht një shtesë fuqie për vetë organizatën.
“Rruga më e qartë për të forcuar NATO-n është përfshirja e Ukrainës. Kjo funksionon për të dyja palët, Ukrainën dhe NATO-n”, deklaroi ai.
Me gjithë këtë, udhëheqësi ukrainas bëri me dije se mbetet e paqartë mënyra se si do të arrihen këto garanci mbrojtëse, të cilat duhet të përputhen me nivelin e sigurisë që garanton Neni 5 i paktit të NATO-s.
Zelensky vuri në pah se këto masa nuk duhet të kushtëzohen nga koha e ushtrimit të detyrës nga ana e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por duhet të qëndrojnë në fuqi edhe pasi ai të largohet.
“Duhet t’i garantojmë Ukrainës, para së gjithash qytetarëve tanë, dhe gjithë Europës se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë të forta jo vetëm për këto dy vite, gjatë të cilave Donald Trump do të jetë president i Shteteve të Bashkuara, por edhe përtej tyre”, u shpreh kreu i shtetit ukrainas.
Ai shtoi gjithashtu se populli ukrainas po jep jetën për të ardhmen dhe nuk mund të mjaftohet me premtime afatshkurtra që shuhen shpejt.
“Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin tonë jo vetëm për dy vite. Dhe na duhen garanci sigurie jo për dy vite, por përgjithmonë”, tha Zelensky.
Duke u ndalur te takimi i fundit ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti i Ukrainës solli në vëmendje afrimitetin mes tyre, duke theksuar se kjo marrëdhënie nuk mund të shërbejë si mburojë për paqen dhe mbrojtjen ukrainase.
“Edhe nëse Putini dhe Trump janë miq, siç u duk së fundmi, ideja se Putini mund të ketë frikë të ndërmarrë diçka apo të nisë një tjetër agresion vetëm për dy vite, nuk funksionon për ne”, përfundoi Zelensky.