Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Zbardhet vendimi i Apelit për vrasjen e Liridona Ademajt: Roli i Naim Murselit dhe sjellja pas krimit

Gjykata e Apelit ka publikuar të dhëna tronditëse nga vendimi për vrasjen e Liridona Ademajt, duke lënë në fuqi burgimin e përjetshëm për Naim Murselin e Granit Plavën, si dhe 30 vite heqje lirie për Kushtrim Kokallën.

Sipas dokumentit të gjykatës, ngjarja e rëndë e ndodhur në muajin nëntor të vitit 2023 ishte organizuar më parë dhe u zhvillua para syve të dy fëmijëve të viktimës. Një prej momenteve më shokuese të zbardhura nga shkalla e dytë ka të bëjë me veprimet e Naim Murselit gjatë ekzekutimit, i cili e kapi bashkëshorten për krahu me qëllim që plumbi i Granit Plavës të arrinte shënjestrën pa gabuar.

“Naim Murseli e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë”, shkruhet në arsyetimin e Apelit, duke shtuar se Plava e vrau Liridonën me vetëm një plumb, ndërsa sjellja e Murselit tregoi paramendim dhe përfshirje direkte.

Gjykata po ashtu vuri në dukje mungesën e pendimit nga ana e autorëve, të cilët pas organizimit dhe kryerjes së krimit vijuan jetën e tyre normale, përfshirë vizitat nëpër lokale nate për t'u argëtuar, pa shfaqur pikë dhimbjeje.

Sa i përket Kushtrim Kokallës, Apeli hodhi poshtë kërkesën e organit të akuzës dhe familjarëve për dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Trupi gjykues argumentoi se ai u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale, ndërsa ligji përcakton sanksione më të lehta për bashkëpunëtorët krahasuar me autorët kryesorë, duke lënë në fuqi masën prej 30 vitesh burg.

Kujtojmë se më 21 prill 2026, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte dhënë po këto dënime, të cilat tashmë janë konfirmuar zyrtarisht nga Apeli.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)