Videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA VI) ka arritur një fitim historik që në ditën e parë të hedhjes në treg, duke mbledhur 3.79 miliardë dollarë shitje me pakicë në nivel global, ndërsa vetë Rockstar Games e konsideroi si debutimin më madhështor në fushën e argëtimit.
Sipas të dhënave nga zhvilluesi, loja numëroi 32.5 milionë njësi të shitura nëpërmjet rezervimeve, duke vendosur një standard të ri në tregun e lojërave. Këto shifra të ardhurash janë afërsisht pesë herë më të larta krahasuar me paraardhësen e saj, GTA V, e cila arriti rreth 800 milionë dollarë në 24 orët e para në vitin 2013, duke lënë pas madje edhe fitimet totale botërore të filmit Avengers: Endgame prej rreth 2.9 miliardë dollarësh.
Titulli u vu në dispozicion për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S, duke ngjallur interes të jashtëzakonshëm anembanë globit, ku sipas rrjetit Visibrain, bisedat online për të kapërcyen ato të Kupës Botërore të futbollit. Ekspertët e vlerësuan me nota maksimale, duke i dhënë 99 pikë në Metacritic, ndërsa vetë kompania e quajti një nga fitoret më të rëndësishme në historinë e këtij sektori.
Nga ana tjetër, ky bum shitjesh solli edhe reagime nga strukturat e rendit në Shtetet e Bashkuara, ku disa agjenci policore u kërkuan qytetarëve të shmangin kopjimin e skenave të paligjshme të lojës në përditshmëri, siç janë grabitjet e makinave, sjelljet e rrezikshme në timon dhe aktet e dhunës.
Një ndër thirrjet më të qarta erdhi nga Departamenti i Policisë në Atlanta, e cila theksoi se “GTA nuk është një vend i vërtetë, por Atlanta është!”, duke u tërhequr vëmendjen përdoruesve që të bëjnë dallimin mes botës virtuale dhe realitetit.