Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se delegacionet e Ukrainës dhe Federatës Ruse do të mblidhen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, në kuadër të një raundi të ri bisedimesh me synim dhënien e fundit të konfliktit.
Uashingtoni ka shprehur besimin se armëpushimi i përkohshëm i vendosur javën e kaluar do t'i hapë rrugë përparimit në tryezën e negociatave. I dërguari special amerikan, Steve Witkoff, u shpreh se SHBA-ja do të ndërmjetësojë takimet, të cilat do të përqendrohen te garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës, ulja e tensioneve, ndihma humanitare dhe hapat e ardhshëm drejt paqes.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, pala amerikane do të përfaqësohet nga Witkoff dhe Jared Kushner, që drejtojnë përpjekjet e Uashingtonit për këtë proces. Presidenti rus, Vladimir Putin, ra dakord që bisedimet të zhvillohen në format trepalësh mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pas një takimi me Witkoffin në Shën Petersburg dy javë më parë.
Kjo nismë diplomatike ndërmerret teksa presidenti amerikan, Donald Trump, synon të arrijë zhvillime drejt mbylljes së luftës më vdekjeprurëse në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Rundi i fundit i bisedimeve trepalëshe me ndërmjetësim amerikan u mbajt në muajin shkurt, por procesi u ndërpre më pas për shkak të zhvillimeve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Shpresat për rifillimin e dialogut u gjallëruan pas armëpushimit të përkohshëm të ndërmjetësuar nga SHBA-ja javën e kaluar, i cili mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin e Oleshkit në jug të Ukrainës, nën pushtimin rus, si dhe largimin e banorëve që dëshironin të iknin. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet mes palëve kanë vazhduar, përfshirë bombardimet ruse që plagosën të paktën 62 persona në një qendër shëndetësore në Harkiv më 3 nëntor, si dhe sulmet e dronëve ukrainas ndaj një rafinerie nafte në Jarosllavl.
Analistët dhe ish-zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se nuk ka shumë pritshmëri për ndonjë arritje të madhe në Abu Dabi, pasi qëndrimet e Moskës dhe Kievit mbeten të largëta dhe nuk ka ende shenja se Putin është gati të pranojë një armëpushim. William Taylor, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë, theksoi se çështja kyçe mbetet nëse Rusia ka ndryshuar qëndrim ndaj armëpushimit.
“Pjesa e vështirë, dhe ajo që do të përbënte përparim të vërtetë, do të ishte që Putin të thoshte po, se e pranon armëpushimin”, tha Taylor për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Heather Conley, eksperte në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, u shpreh skeptike për ndonjë rezultat vendimtar, duke shtuar se shkëmbimet e të burgosurve mund të jenë ndër rezultatet më realiste të këtyre takimeve.
Krahas bisedimeve në Abu Dabi, zyrtarët amerikanë pritet të takohen këtë javë në Bruksel me përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të diskutuar rreth garancive të sigurisë për Ukrainën dhe mbështetjen financiare për rindërtimin e saj.