Kryeministri Edi Rama vijon të lërë çdo mëngjes ftesa për bisedime mbi tavolinën e gurtë para Kryeministrisë, ndërsa protestuesit përgjigjen me thirrjen për dorëheqje.
Të rinjtë dhe qytetarët që marrin pjesë në tubim kanë shënuar mesazhin e tyre pikërisht mbi këtë tavolinë guri, e cila është shndërruar në simbol të nismave të kreut të qeverisë për të nisur një dialog. Thirrjet e herëpashershme të Ramës nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje pranimi, pasi protestuesit refuzojnë të ulen në bisedime dhe kërkojnë largimin e tij.
Më herët, përpara godinës ekzekutive u vendosën karrige me thirrjen për dialog, të cilat u hodhën poshtë nga studentët e pedagogët. Më pas, kreu i qeverisë ndryshoi metodën duke vendosur gurë dhe në fund një tavolinë të gurtë para institucionit.