Gjatë mbledhjes në Komisionin e Ligjeve, ministri i Financave Petrit Malaj theksoi se risitë fiskale do të kenë ndikim neutral, pasi synojnë rishpërndarjen e të ardhurave dhe mbrojtjen e shtresës së mesme e të shtresave në nevojë.
Kreu i Financave vuri në dukje se nisma bazohet te parimet e drejtësisë fiskale, rishpërndarjes dhe efikasitetit tatimor. Në këtë drejtim, parashikohen ndryshime në TVSH, tatimin mbi të ardhurat dhe dividendin, si dhe akcizat sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Sipas tij, synimi mbetet sigurimi i të ardhurave të qëndrueshme dhe një sistemi më të drejtë taksimi.
“Paralelisht me Buxhetin 2027, Ministria e Financave ka hartuar edhe Paketën Fiskale e cila përmban 6 projektligje. Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin bazohet kjo Paketë Fiskale është rishpërndarja e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme. Ndaj, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore: Rishpërndarja e të ardhurave Forcimi i drejtësisë fiskale; Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor; Në këtë kuadër, janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesat e BE-së, si dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve. Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare”, pohoi ministri i Financave Malaj.
Për më tepër, Malaj renditi ndryshimet thelbësore, duke përfshirë ngritjen e normës së dividendit në 15%, rivlerësimin e taksimit progresiv për të mbështetur shtresën e mesme, uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë, si dhe vendosjen e normës së ulët prej 6% për 54 artikuj të shportës bazë. Gjithashtu, parashikohet rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, transferimi i taksës së qarkullimit te automjetet dhe përafrimi i akcizave të duhanit me direktivat europiane.
“Në përfundim, dua të nënvizoj se Projektbuxheti 2027 përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishëm për zbatimin e prioriteteve tona ekonomike dhe sociale. Qëllimi ynë është që rritja ekonomike të përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët, duke vendosur në fokus familjen, pensionistët, fermerët dhe mbështetjen e sektorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Një dimension tjetër i rëndësishëm që përshkron Projektbuxhetin 2027 është mbështetja ndaj procesit të integrimit evropian. Në këtë drejtim, buxheti mbështet vijimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian”, tha ndër të tjera ministri Malaj në Komisionin e Ligjeve.