Pavarësisht paralajmërimeve të ekzekutivit për ndëshkime financiare ndaj atyre që kryejnë akte dhune, mijëra veta dolën sërish në bulevardet e kryeqytetit për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Tubimi nisi fillimisht para godinës së Ministrisë së Arsimit me grumbullimin e studentëve dhe qytetarëve, të cilët më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë kësaj proteste u lëshuan thirrje jo vetëm kundër kreut të qeverisë Edi Rama, por edhe ndaj udhëheqësit të opozitës Sali Berisha.
Demonstruesit kërkojnë shkëputjen e të dyve nga jeta politike, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj establishmentit aktual dhe nevojën për rinovim të tij.
Edhe gjatë kësaj të shtunje nuk munguan tensionet dhe përplasjet, ku u vunë zjarr kazanëve të mbetjeve dhe u hodhën mjete të forta drejt forcave të rendit dhe objekteve shtetërore. Këto ngjarje ndodhën pavarësisht paralajmërimeve zyrtare për gjoba të rënda ndaj personave të përfshirë në dhunë, të cilat duket se nuk e kanë ulur vrullin e revoltës.
Në përgjithësi, kjo protestë nuk solli ndryshime krahasuar me tubimet e shkuara.
Pjesëmarrësit vazhduan qëndresën e tyre në rrugë, ndërkohë që synimet dhe parullat mbetën të pandryshuara, duke e lënë të ndezur lëvizjen protestuese që arrin në ditën e 161-të.