Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 35-vjeçarin Albano Ameti, mësues edukimi fizik, pas kallëzimit të shtatë nxënëseve të mitura për ngacmim seksual.
Vendimi u dha gjatë kësaj të diele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, duke mundësuar që i dyshuari të hetohet i lirë dhe të paraqitet pranë organeve kompetente sipas rregullave të caktuara. Çështja erdhi në vëmendjen e publikut në fillim të muajit, më 6 nëntor, kur shtatë nxënëse nga 14 deri në 17 vjeç, të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë, raportuan sjellje të pahijshme dhe ngacmime të mundshme seksuale gjatë orëve të mësimit. Pas këtij denoncimi, uniformat blu ndërhynë për të ndaluar mësuesin, i cili kishte vetëm rreth tre muaj që ishte pjesë e trupës mësimore në atë shkollë.