Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Marta Kos reagon për protestat në Shqipëri: Ekzekutivi duhet të rishikojë ligjin për investitorët strategjikë

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se Brukseli i njeh kërkesat e qytetarëve që protestojnë në Shqipëri, duke iu përgjigjur shqetësimeve të eurodeputetëve.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian, Kos ndau protestuesit në dy grupe, duke përmendur ata të dhunshëm krahas atyre që kanë dalë në sheshe me synime të qarta. Ajo vuri në dukje se rruga e integrimit evropian kërkon përmbushjen e reformave dhe kapitujve të ndryshëm, pa të cilët vendet kandidate nuk mund të përparojnë.

Duke u fokusuar te mjedisi, komisionerja e cilësoi këtë si një nga kapitujt më sfidues për Tiranën zyrtare aktualisht, duke shtuar se kabineti qeveritar duhet të ndryshojë amendamentet dhe ligjin për investimet strategjike.

Ajo shtoi se këto shqetësime janë ngritur edhe nga vetë protestuesit në Shqipëri dhe janë vënë re nga Komisioni Evropian.

Në vijim, komisionerja kërkoi vendosjen e dialogut ndërmjet qeverisë dhe palëve të tjera, duke e quajtur atë thelbësor për ecurinë e integrimit në BE jo vetëm për Shqipërinë, por për çdo shtet kandidat.

Së fundmi, ajo kujtoi se Bashkimi Evropian disponon mekanizma për të monitoruar dhe reaguar në rast se një shtet në proces anëtarësimi nuk ecën në rrugën e duhur.

Marta Kos: “Ne e dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. Ka dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur të protestojnë me qëllime të qarta.
Procesi është ndërtuar në mënyrë që vendi të ecë përpara. Vendi nuk mund të ecë përpara nëse nuk përmbush kapitujt. Kapitulli për mjedisin është ndër më të vështirët në Shqipëri aktualisht.
Qeveria duhet të ndryshojë disa nga amendamentet dhe ligjin për investimet strategjike. Kjo është pikërisht ajo që kërkojnë protestuesit dhe ne e kemi shënuar këtë.
Ne presim dialog mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë, sepse mbi këtë bazohet edhe procesi i integrimit. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera.
Nëse një vend është në procesin e integrimit, ne kemi disa mënyra për të vlerësuar nëse ai nuk po ecën në drejtimin e duhur.”

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)