Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Lufta nën tokë në Ukrainë, ushtarët përdorin një tubacion të vjetër sovjetik për t'iu shmangur dronëve

Prej shtatë muajsh, trupat ukrainase po zhvillojnë operacione ushtarake brenda një tubacioni të vjetër sovjetik gazi në rajonin e Kharkivit, duke u mbrojtur nga dronët dhe goditjet ruse përmes këtij korridori nëntokësor.

Ky kanal me diametër pak mbi një metër lejon vetëm lëvizjen zvarritur, por ofron një strehë më të sigurt krahasuar me sipërfaqen e rrezikshme. Sipas një reportazhi të BBC-së, kjo taktikë e re lindi për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme nga dronët. Një nga planifikuesit e operacionit, i quajtur Zanuda, e sheh luftën nën tokë si të vetmen mundësi aktuale. “Në sipërfaqe gjithmonë ke hapësirë për të manovruar, por këtu mund ta përballësh armikun vetëm ballë për ballë”, shpjegon ai.

Aksioni i koduar “Veles”, sipas emrit të një hyjnie mitike sllave, nisi në muajin prill. Forcat ukrainase raportojnë se kanë liruar dhe përparuar rreth 15 kilometra përgjatë tubacionit gjatë shtatë muajve. Për transportin e ushtarëve, municioneve dhe furnizimeve, ata kanë ndërtuar një karrocë elektrike të pagëzuar si “Metroja e Kupjanskut”. Gazetarët e BBC-së udhëtuan për rreth 40 minuta brenda strukturës metalike, ndërsa ushtarët theksojnë se mungesa e dronëve dhe e artilerisë i bën të ndihen më rehat nën tokë, pavarësisht shpërthimeve të herëpashershme në sipërfaqe.

Megjithatë, sfida ka qenë e madhe. Rusët kishin shfrytëzuar të njëjtin tubacion për t'u infiltruar në Kupjansk në shtator 2025, duke lënë pas barriera, kurthe dhe trupa të pajetë. Pjesëtarët e Brigadës së 13-të Khartiia u desh të pastronin mbeturinat dhe u përballën me rrezikun e rikosheteve të plumbave. Ukraina pretendon se gjatë këtyre përleshjeve janë vrarë më shumë se 100 ushtarë rusë dhe janë kapur 30 të tjerë. Në këto luftime morën pjesë edhe qindra vullnetarë kolumbianë nga Regjimenti i 23-të Sulmues RUG, ku një prej tyre tregoj se iu deshën 30 ditë për të kaluar vetëm 500 metra.

Kushtet e vështira kanë sjellë probleme fizike dhe psikologjike, duke përfshirë gërvishtje, vështirësi në frymëmarrje dhe sulme paniku nga hapësira e ngushtë. Ndërkohë, luftimet vazhdojnë pasi rusët po përpiqen të hapin dalje të reja drejt sipërfaqes. Presidenti Volodymyr Zelensky e ka vlerësuar këtë operacion si një sukses që ka ngritur moralin e trupave, megjithëse ai nuk ka ndryshuar rrjedhën e përgjithshme të konfliktit.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)