Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Lëvizje dhe shkarkime në Bashkinë e Tiranës, tensionohen më tej raportet mes Veliajt dhe Ramës

Tensionet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po lënë shenja të dukshme në strukturat e administratës lokale, duke sjellë ndryshime në krye të institucioneve të varësisë.

Ndërkohë që ndodhet në qelinë e paraburgimit të Fierit, Veliaj ka nxjerrë urdhra largimi për disa drejtues që lidhen me kryeministrin. Këto zhvillime pasojnë ftohjen e thellë të marrëdhënieve politike mes dy figurave kryesore të Partisë Socialiste.

Në listën e zyrtarëve të shkarkuar figuron Rigers Sheqeri, i cili drejtonte Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit në cilësinë e kryeinspektorit.

Po ashtu, me firmën e Veliajt është larguar edhe Zhaneta Beqiri, që mbante postin e drejtoreshës së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të kryeqytetit.

Ky konflikt është acaruar edhe më shumë pas pretendimeve të kryebashkiakut se është kërcënuar gjatë kohës që po mbahet në paraburgim, nën emrin e kreut të qeverisë, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ky i fundit e ka pranuar takimin me Veliajt, por ka hedhur poshtë akuzat për përcjelljen e mesazheve me ton kërcënues.

Mospajtimet e forta janë reflektuar gjithashtu brenda radhëve të Partisë Socialiste, ku kryeministri Rama ka bërë të ditur përjashtimin e Plarent Ndrecës nga forumet partiake.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)