Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj vendimit të shefes së shtetit, Justina Shiroka-Pula, për largimin e portretit të ish-kryetarit Ibrahim Rugova bashkë me Deklaratën e Pavarësisë nga hapësirat kryesore të Presidencës.
Nëpërmjet një deklarate publike, kjo forcë politike e ka cilësuar këtë hap si të papranueshëm, duke nënvizuar se institucioni i Presidencës duhet t'i jorë vendin e merituar themeluesve të shtetit dhe dokumenteve kyçe historike.
“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, bëhet e ditur në kumtesë.
Tutje, formacioni politik evokon rolin e Rugovës në lëvizjen për liri, krahas vullnetit popullor të shprehur përmes Deklaratës së Pavarësisë për një republikë sovrane.
Sipas qëndrimit të tyre, heqja e këtyre dëshmive cenon nderimin institucional ndaj të kaluarës dhe identitetit shtetëror.
“Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj”, shtohet në njoftim.
Në fund, LDK-ja i ka bërë thirrje presidentes Shiroka-Pula që të tërheqë këtë vendim dhe t'i kthejë në pozitat e tyre të mëparshme simbolet në fjalë brenda objektit të Presidencës.