Sean Cairncross, zyrtari përgjegjës për sigurinë kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, është shkarkuar nga funksioni i tij vetëm pak ditë pas një vargu problemesh teknologjike që ndikuan te infrastruktura kyçe e Shteteve të Bashkuara.
Një burim pranë Shtëpisë së Bardhë i pohoi agjencisë Reuters largimin e Cairncross, ndërkohë që Axios kishte njoftuar më parë se ai po mendonte të jepte dorëheqjen, me qëllim që administrata Trump të arrinte konfirmimin në Senat të pasardhësit të tij para se demokratët të merrnin shumicën në janar. Në këtë post pritet të caktohet Kirsten Davis, e cila deri kohët e fundit udhëhiqte departamentin e teknologjisë së informacionit në Pentagon.
Ky largim ndodh në një periudhë delikate për qeverinë amerikane, pasi javën e shkuar disa defekte teknologjike ndikuan te linjat e fluturimit, rrjetet bankare dhe platformat qeveritare. Ndër ngjarjet më të rënda ishte ndërprerja e përkohshme e lëvizjeve ajrore në mbarë vendin, e cila preku më shumë se 18 mijë fluturime, si dhe vështirësitë në shërbimet e Microsoft dhe JPMorgan Chase.
Një shqetësim të madh solli edhe prishja e një rrjeti të fshehtë komunikimi të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që dyshohet se erdhi si rezultat i një defekti teknik gjatë punimeve të rregullta të mirëmbajtjes. Edhe pse pati një seri ngjarjesh të njëpasnjëshme, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se mungojnë provat që dëshmojnë lidhjen mes defekteve apo faktin se ato janë shkaktuar nga sulme kibernetike ose ndërhyrje nga jashtë.
Sean Cairncross e mori postin e drejtorit kombëtar të sigurisë kibernetike gjatë muajit gusht të vitit 2025, duke pasur detyrën e bashkërendimit të strategjisë federale në këtë fushë dhe të këshillimit të presidentit Donald Trump. Deri tani, nuk është konfirmuar nëse shkarkimi i tij lidhet drejtpërdrejt me problemet e fundit teknologjike.