Mazhoranca ka kaluar në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe Paketën Fiskale në Komisionin e Ligjeve, në një mbledhje ku opozita nuk ishte e pranishme.
Deputetët opozitarë vendosën të bojkotojnë takimin, ndërkohë që anëtarët e mazhorancës vazhduan diskutimin për këto dy akte të rëndësishme financiare të ekzekutivit. Gjatë paraqitjes së projektligjit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ministri i Financave u shpreh se buxheti mbështetet në tre shtylla kryesore: mirëqenien sociale, qëndrueshmërinë fiskale dhe investimet e reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai tha se të ardhurat e vitit 2027 llogariten në 907,9 miliardë lekë, e barabartë me afro 9,4 miliardë euro, kurse deficiti buxhetor do të jetë në nivelin 2,3% të PBB-së. Malaj shtoi po ashtu se synimi i qeverisë është ulja e borxhit publik në 52,4% të PBB-së, duke mbajtur në fuqi kursin e konsolidimit fiskal.