Një 36-vjeçar nga Shkodra, i kërkuar ndërkombëtarisht për armëmbajtje pa leje dhe vrasje të mbetur në tentativë, ka rënë në pranga në Spanjë për t'u ekstraduar në Shqipëri.
Ky ndalim u realizua në sajë të aksionit ndërkombëtar të quajtur “The Wanted”, si rezultat i ndarjes së të dhënave mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit.
Sipas autoriteteve policore, bëhet fjalë për 36-vjeçarin Armando Ndreu, lindur në qytetin e Shkodrës, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër pati vendosur masën “Arrest në burg” gjatë vitit 2022.
Atij i vishet akuza se gjatë muajit mars 2022, për arsye banale, ka shkrepur armë zjarri automatike kundër një dyqani në pronësi të një shtetasi me iniciale S. S., në zonën “Skënderbeg” në Shkodër, ngjarje nga e cila pati vetëm dëmtime materiale.
Ky person përballet me akuzat penale për “Vrasja” në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkaq, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me autoritetet në Madrid me qëllim finalizimin e procedurave të transferimit të tij në territorin shqiptar.