Autoritetet greke kanë zbuluar identitetin e shqiptarit që mbeti i plagosur një natë më parë në kryeqytetin grek, ndërsa kanë arrestuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Sipas informacioneve zyrtare, bëhet fjalë për 38-vjeçarin Helis Cato, banues në Sarandë, i cili rezultonte i shpallur në kërkim nga policia e Greqisë. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës të goditur në qershor, ku u vunë në pranga nëntë persona dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre edhe Cato.
Në lidhje me ngjarjen e fundit, uniformat blu kanë prangosur dy të mitur, 16-vjeçarin shqiptar Flavio Keqi dhe 16-vjeçarin grek Ioannis Karikis. Të dy ata ishin nën shoqërinë e 38-vjeçarit gjatë atentatit dhe u arrestuan për mosbindje ndaj urdhrave të forcave të rendit pasi tentuan të largoheshin, kurse autori i plagosjes mbetet ende i panjohur.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar pranë një kishe në zonën “Kolono” të Athinës, ku 38-vjeçari u qëllua me armë. Pavarësisht plagës, ai arriti të ecte rreth 150 metra deri te automjeti i tij i parkuar, ku më pas u gjet nga efektivët e policisë, ndërsa ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.