Një i ri 17-vjeçar, i cili u ndëshkua me një masë administrative prej pesë milionë lekësh pas tubimit të fundjavës, ka treguar vështirësitë ekonomike me të cilat përballet familja e tij.
Në një rrëfim për News24 dhënë gazetarit Osman Stafa, adoleshenti u shpreh i paaftë për të shlyer këtë shumë të lartë, duke shpjeguar se të ardhurat e tyre mbështeten vetëm te pagesa e aftësisë së kufizuar. Ai shtoi se nuk frikësohet nga masat e marra dhe se do të vijojë të marrë pjesë në tubime deri në largimin e kreut të qeverisë.
Gjatë rrëfimit të tij, i mituri sqaroi rrethanat e ndodhjes në shesh: “Unë isha duke luajtur, nuk kam qenë pjesë e protestës.”
Më tej, ai theksoi: “Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite. Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë.”
I riu tregoi gjithashtu për sfidat e përditshme të mbijetesës: “Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë. Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Shteti asgjë nuk më jep për vdekjen e nënës, vetëm në shkollë marr një bursë.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai theksoi qëndrimin e tij: “Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë.”