I ftuar në News24, politologu Ermal Hasimja analizoi pjesëmarrjen e Belinda Ballukut në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke theksuar se ajo po sfidon hapur kryeministrin Edi Rama.
Hasimja u shpreh se Balluku gëzon një ndikim të ndjeshëm brenda forcës politike, kontrollon një fraksion deputetësh dhe se Rama është i vetëdijshëm për aftësinë e saj për të rrëzuar kabinetin qeveritar. Sipas tij, kreu i qeverisë ndodhet në pozita të vështira dhe të shantazhueshme, ndërkohë që çështjet rreth imunitetit kanë sjellë kosto për imazhin e partisë edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Duke iu referuar atmosferës në Asamblenë e PS-së, analisti e krahasoi dinamikën e mbledhjes me praktika autoritare ku nuk tolerohet asnjë lloj kundërshtie. Ai shtoi se kërkesa e vazhdueshme e Ramës për nënshtrim total po ushqen pakënaqësi të fshehta mes zyrtarëve të pranishëm.