Një organizatë kriminale që merrej me zhvatjen e pronarëve të bizneseve në kryeqytetin grek përmes metodave të dhunshme është shkatërruar nga forcat e rendit. Sipas dyshimeve hetimore, drejtimi i këtij rrjeti mbahej nga i burgosuri shqiptar Klodian Lekoçaj, i cili edhe pse vuante dënimin në burgun e Trikalës, vazhdonte të jepte urdhra nga qelia.
Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë kanë regjistruar disa nga sulmet e dhunshme të këtij grupi. Në një prej regjistrimeve të datës 5 tetor, një nga autorët shihet teksa thyen xhamat e një mense në zonën e Akarnonit dhe hedh një granatë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ndërkohë, në shënjestër të bandës ishin edhe dyqanet “Paris” dhe “Best” në qendër të Athinës, të cilat u kërkoheshin shuma të larta parash në këmbim të të ashtuquajturës “mbrojtje”.
Për të bërë presion ndaj pronarëve, anëtarët e rrjetit përdornin kërcënime dhe shpërthime. Dy shpërthime ndodhën në orët e para të 8 shtatorit kur dyqanet ishin të mbyllura, ndërsa më 5 tetor, sulmi ndaj dyqanit “Paris” ndodhi në prani të klientëve, duke sjellë plagosjen e lehtë të një vajze të re nga hedhja e granatës jashtë ambientit.
Sipas të dhënave nga Policia Helenike, struktura kriminale kishte nëntë anëtarë kryesorë. Katër prej tyre ndodheshin tashmë në qeli, ndërsa pesë të tjerë ranë në pranga gjatë operacionit të 3 nëntorit, mes të cilëve dy shtetas grekë dhe tre të huaj të moshës 17 deri në 20 vjeç. Krahas Lekoçajt, si pjesë e organizatës janë identifikuar edhe një shtetas grek me origjinë rome në burgun e Malandrinos, si dhe dy shtetas egjiptianë, njëri i burgosur po aty dhe tjetri në Qendrën e Paraburgimit për të Mitur në Avlona.
Mëngjesin e 4 nëntorit, të arrestuarit dolën para gjykatës së Evelpidonit për t'u njohur me akuzat. Organi i akuzës ka ngritur procedime për 13 vepra penale dhe tri kundërvajtje, ku përfshihen krijimi dhe drejtimi i organizatës kriminale, tentativa e vrasjes, shpërthimet, zjarrvënia e qëllimshme, zhvatja serike, mbajtja e paligjshme e armëve dhe eksplozivit, dëmtimi i pronës dhe ushtrimi i dhunës ndaj punonjësve. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha episodet e tjera dhe përfshirjen e secilit prej anëtarëve.