Ish-kreu i Bashkisë së Memaliajt, Gjolek Guci, është dënuar me 1 vit e 4 muaj heqje lirie nga Gjykata e Posaçme, pasi u sh fajtor për shkelje të barazisë në tendera publikë në bashkëpunim.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri. Gjatë shpalljes së vendimit, u bë e ditur se dënimi fillestar prej 2 vitesh u ul me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke e lënë përfundimisht në 1 vit e 4 muaj burg. Po ashtu, GJKKO vendosi t'i ndalojë ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë pesëvjeçare.
Për të njëjtën akuzë u shpall fajtore edhe Edmonda Harizi, e cila pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 8 muaj burg dhe iu hoq e drejta për të mbajtur funksione publike për pesë vite. Vendimi i gjykatës mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e nesërme e njoftimit.