Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Gazetari Hoxha: Materialet komprometuese kanë përfunduar te shërbimet e huaja, nuk i shpëton as SPAK-u

I ftuar në emisionin “Prime News24”, gazetari Poli Hoxha ka diskutuar mbi deklaratën e transmetuar të Pandeli Majkos në Asamblenë e Partisë Socialiste rreth qindra orëve me filmime që përfshijnë figura të PS-së në ngjarje korruptive dhe erotike.

Hoxha theksoi se bëhet fjalë për një numër skedarësh të lidhur me Ergys Agasin, ku një pjesë e tyre dyshohet se kanë rënë në duart e shërbimeve të huaja para se të mbërrinin te Prokuroria e Posaçme.

“Janë dhjetëra skedarë të Ergys Agasit që janë kapur. Para se t’i kapte SPAK-u, këto video janë çuar, nuk e di saktësisht nga kush, te një shërbim i huaj rajonal, besoj, i cili më pas ua ka kaluar edhe partnerëve, në bashkëpunim me amerikanët. As SPAK-u nuk i shpëton dot. Ato janë”, u shpreh gazetari.

Sipas tij, paralajmërimi i Majkos nuk kishte lidhje me hetimet e SPAK-ut, por i referohej mundësisë së publikimit të materialeve nxitëse të ngjashme me skandalin që preku ish-kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

“Majko ka paralajmëruar si politikan me lidhje ndërkombëtare, që ka shumë informacion. Ai nuk ka paralajmëruar për një histori të SPAK-ut, por për histori të bombave të Zaevit. Këto dihet që i bëjnë shërbimet partnere kur shikojnë një klasë politike që nuk lëviz as nga SPAK-u dhe as nga presioni popullor: fillon edhe diskreditimi”, deklaroi Hoxha.

Gjithashtu, ai shtoi se kryeministri Edi Rama e ka pranuar të qenit të këtyre materialeve duke përmendur një deklaratë të mëparshme mbi rikthimin e çështjes së fotografive nudo.

Në fund, gazetari vuri në dukje se pesha kryesore e këtyre dokumenteve qëndron te aspekti korruptiv dhe jo te ai erotik.

“Videot janë korruptive në radhë të parë, mos t’u japim rëndësi videove erotike”, u shpreh ai.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)