Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Fuqia blerëse e pensioneve në Shqipëri, vetëm 19% e mesatares së Bashkimit Europian

Gjatë vitit 2025, pensioni mesatar neto në Shqipëri përfaqësonte vetëm 19% të fuqisë blerëse krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, duke shënuar nivelin më të ulët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare (wiiw), me të ardhurat e një pensioni mesatar në vendin tonë gjatë vitit 2025 mund të siguroheshin mallra dhe shërbime të ngjashme me ato që blihen në BE për rreth 260 euro. Ky llogaritje bazohet në standardin e fuqisë blerëse (PPS), një tregues që Eurostat përdor për të eliminuar ndryshimet e çmimeve ndërmjet shteteve. Edhe pas këtij përshtatjeje, shuma mbetet gati sa një e pesta e mesatares europiane.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria e ngushtoi distancën me BE-së me 1,3 pikë përqindjeje në raport me vitin 2024, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shënuan përmirësime më të larta, përkatësisht me 7,8 dhe 11,6 pikë përqindjeje. Vetëm Kosova shfaqet në nivele të ngjashme me Shqipërinë, ku pensioni mesatar përfaqëson 20% të mesatares së BE-së, ose rreth 272 euro. Në krahun tjetër, Bosnja dhe Hercegovina arrin në 42%, Serbia në 44%, Maqedonia e Veriut në 52%, kurse Mali i Zi mban kryesimin me 58% të mesatares së Bashkimit Europian, ku me pensionin mesatar mund të blihet afro trefishi i mallrave krahasuar me Shqipërinë.

Sipas vlerësimeve të Institutit të Vjenës, Shqipërisë, së bashku me Serbinë dhe Kosovën, do t'i duhen më shumë se një shekull për të arritur standardin mesatar të pensioneve në BE, bazuar te skenari i vitit 2025. Përballë kësaj situate, Mali i Zi llogaritet se do ta arrinte këtë mesatare brenda 14 viteve, Maqedonia e Veriut për 23 vjet dhe Bosnja e Hercegovina për 40 vjet.

Një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë nivel të ulët përfitimesh në Shqipëri është prania e lartë e pensioneve të pjesshme. Gjatë vitit të kaluar, 55,2% e pensioneve të pleqërisë ishin të pjesshme, duke u rritur nga 52,1% që ishin një vit më parë. Rreth 354 mijë qytetarë që përfitonin nga kjo kategori morën mesatarisht 13.500 lekë në muaj. Për individët që dolën në pension të ri, periudha mesatare e kontributeve ishte 24,5 vjet, rreth 14 vite më pak se kohëzgjatja e plotë prej 38 vjetësh e 8 muajsh.

Fenomenet e punës së padeklaruar dhe nën-deklarimit të pagave dëmtojnë skemën në mënyra të ndryshme, pasi periudhat pa sigurime zvogëlojnë vjetërsinë e njohur, ndërsa pagat e ulëta zyrtare ulin bazën e llogaritjes së shtesave. Sipas INSTAT, informaliteti në punësimin e bizneseve arriti në 21,8% gjatë vitit 2025, ndërsa Banka Botërore e konsideron nën-deklarimin e pagave si një sfidë të përhapur në sistemin shqiptar.

Në tregun e brendshëm, dallimi midis skemave mbetet i dukshëm. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i pleqërisë ishte 20.123 lekë në zonat urbane dhe 12.313 lekë në ato rurale. Pensionet e reja të zakonshme u lidhën me një mesatare prej rreth 16.500 lekësh në muaj, ndërsa indeksimi i tetorit 2025 prej 2,5% shtoi 500 lekë në muaj për një pension prej 20 mijë lekësh.

Në vitin 2025, raporti ishte 1,18 kontribuues për çdo pension, kurse subvencioni i buxhetit të shtetit për skemën e detyrueshme kërkoi 10,2 miliardë lekë. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vetëm 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon rregullisht në skemën e pensioneve, ndërsa plakja e popullsisë vazhdon të rrisë presionin mbi një sistem që mbështetet te të punësuarit aktualë për të financuar pagesat e sotme.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)