Kryebashkiaku Erion Veliaj është transferuar nga sektori A në atë spitalor brenda ambienteve të paraburgimit të Fierit, vetëm një javë pas vendosjes së tij atje.
Ende mbetet e paqartë nëse ky ndryshim vendndodhjeje lidhet me vizitën e fundit të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në këtë institucion. Avokati mbrojtës Plarenc Ndreca, bashkë me vetë kryebashkiakun nëpërmjet një letre, kanë bërë publike detajet e kësaj vizite të konsideruar të fshehtë, duke pohuar se ministri përcjellë kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Veliajt, Gogu i ka transmetuar mesazhin e Ramës për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë dhe për të kaluar kompetencat, ndryshe paralajmërohej se do të qëndronte gjatë në qeli. Kryebashkiaku theksoi se Rama e fajëson atë për protestat e dhunshme në kryeqytet, ndërsa i kërkoi kreut të qeverisë të provojë pretendimet ose të dorëhiqet vetë.
Gjatë seancës së mbajtur dje në GJKKO, Veliaj nuk ishte i pranishëm, por i dërgoi një shkresë gjykatës për ta njohur me ngjarjet e fundit. Nga ana e saj, trupa gjykuese, në prani të mbrojtësit Plarent Ndreca, deklaroi se nuk kishte marrë njoftim zyrtar për transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Ndërkohë, mbrojtësit ligjorë i kanë kërkuar Prokurorisë së Posaçme që të verifikojë urdhrin që solli lëvizjen e Veliajt nga Durrësi në Fier.