Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Berisha bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, i cili, sipas tij, është ndaluar nga Policia e Shtetit. Këtë deklaratë ai e dha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në platformat digjitale, pas një pyetjeje nga Milaim Nela, i cili e cilësoi gazetarin si ndër zërat më kritikë ndaj administratës së kryeministrit Edi Rama.

“Që sot kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm. Gazetari në fjalë është një kritik i zhvillimeve në Shqipëri, ndër më objektivët. Ky gazetar nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike, por një gjë është e sigurt që ky gazetar e do Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai vlerësoi punën dhe qëndrimet e gazetarit lidhur me ngjarjet në vend, duke shtuar se nuk i njeh arsyet që e lidhin kaq fort me Shqipërinë, por e cilëson si një nga kronistët më të mirë të pasqyrimit të realitetit vendor.

Në mbyllje, lideri i opozitës lëshoi gjithashtu një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit mund të ndërmarrë hapa ndaj personave që i sheh si kundërshtarë personalë.

“Unë kërkoj urgjentisht lirimin e tij. Sikundër kërkoj të mos e prekë kush, se Edi Rama ndaj armiqve personalë nuk ngurron për asnjë akt”, deklaroi kreu i PD-së.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)