Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, gjatë një interviste në emisionin Prime News24, ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit Edi Rama lidhur me Belinda Ballukun, duke i quajtur arsyetimet e tij si qesharake dhe duke kërkuar një reagim më të fortë nga ana e organeve të drejtësisë.
Qori u shpreh se kreu i qeverisë është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap për të marrë në mbrojtje Ballukun. Ai shtoi se mes tyre ekziston një lidhje e ngushtë dhe sipas tij, Balluku i ka adresuar mesazhin se ose do të qëndrojnë së bashku, ose do të fundosen së bashku.
Sipas liderit të Lëvizjes Bashkë, Rama ka marrë rolin e avokatit duke mos lejuar heqjen e imunitetit të saj, ndërsa talljet dhe krahasimet e kryeministrit mes qytetarëve në nevojë dhe zyrtarëve të pasuruar padrejtësisht janë të papranueshme. Për më tepër, Qori theksoi se institucionet e drejtësisë duhet të tregohen shumë më aktive ndaj saj, duke përmendur se asaj i zbulohet nga një vilë çdo javë.