Politologu Ermal Hasimja ka analizuar dinamikën e marrëdhënieve dhe përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një interviste në News24.
Hasimja theksoi se Rama e di mirë se kryetari i bashkisë zotëron mbështetje elektorale dhe po bën llogaritë e veta për të tërhequr këta simpatizantë. Sipas tij, kreu i qeverisë fokusohet te Tirana, pasi e kupton se rezultati në kryeqytet ndikon drejtpërdrejt në fatin e gjithë vendit.
“Veliaj ka interes për debatin, sepse mund t’i duhet kjo edhe për Strasburgun ose ta paraqesë veten si i burgosur politik. Rama po menaxhon energjitë. Me shumë gjasa, Rama i ka dërguar mesazh Veliajt. Rama e di se Veliaj ka pushtet elektoral dhe dëshiron të dobësojë Erion Veliajn. Edi Rama e di që nëse merrret Tirana, i rrezikohet pushteti. Prandaj dhe e sheh me prioritet si çështje,” u shpreh ai.
Lidhur me garën e ardhshme për bashkinë e Tiranës, analisti vlerësoi se ekzistojnë zgjedhje alternative, ndërsa përmendi Ervin Demon si një nga mundësitë, pavarësisht sfidave të së kaluarës së tij në qeverisje.