Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se përdorimi i sistemit satelitor SpaceX në pronësi të Elon Musk mbetet pjesërisht i kufizuar në Ukrainë, pavarësisht shenjave të hershme këtë javë se ai ishte rikthyer plotësisht.
Kufizimet aktuale pengojnë ushtrinë ukrainase të përdorë dronë për të kapur dronët sulmues rusë dhe për të dërguar furnizime për ushtarët në vijën e frontit, u shpreh Zelensky.
Zyrtarët ukrainas thonë se po përpiqen të kuptojnë nëse kufizimet vijnë si pasojë e një vendimi politik nga administrata Trump apo nga vetë Musk.
Ata kanë dëgjuar versione të ndryshme, ku administrata Trump dhe drejtuesit e SpaceX fajësojnë njëri-tjetrin.
"SpaceX si kompani na thotë se është një problem teknik. Por kontaktet tona në kompani thonë se kjo vjen nga Shtëpia e Bardhë. Kur pyesim Shtëpinë e Bardhë, ata thonë se është Elon", i tha një zyrtar ukrainas Axios.
Musk deklaroi në një postim në X të mërkurën se qeveria e SHBA-së ishte përfshirë në prishjen e Starshield.
"Sistemet Starshield janë në pronësi dhe kontroll të qeverisë amerikane. Çdo kufizim në shpejtësi ose përdorim vendoset nga ushtria amerikane dhe në fund nga POTUS", shkroi ai.
Presidenti Trump u shpreh të premten se Shtëpia e Bardhë nuk ishte përfshirë në kufizimin e përdorimit të sistemit nga Ukraina.
The Telegraph raportoi të premten se Musk i propozoi Trumpit frenimin e rrjeteve satelitore Starlink dhe Starshield të përdorura nga ushtria ukrainase.
Një burim i njohur me diskutimin i tha Axios se Trump nuk e kundërshtoi idenë e Elonit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi pretendimin e The Telegraph. "Kjo është totalisht e rreme. Siç tha Presidenti Trump, ne nuk e ngadalësuam fare Starlink-un dhe shërbimi është aktualisht funksional", tha zyrtari.
Por shërbimi nuk është plotësisht funksional. Para kufizimeve, rrjeti Starlink dhe Starshield funksiononte edhe në dronë që arrinin 400 kilometra në orë. Tani ai është i kufizuar në 161 kilometra në orë, thonë zyrtarët ukrainas.
Zelensky u tha gazetarëve të shtunën se ushtria ukrainase e testoi sistemin të premten në makina brenda vendeve të Bashkimit Evropian.
Makinat udhëtuan me 180 kilometra në orë dhe sistemet satelitore vazhduan të punonin. Mirëpo, sapo makinat kaluan në Ukrainë, sistemi u shkëput në 161 kilometra në orë.
"Përfundimi është se kufizimet zbatohen brenda Ukrainës, por nuk zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, ky është një operacion i planifikuar", u shpreh Zelensky.
Ai gjithashtu shprehu skepticizëm lidhur me pretendimin e SpaceX se kufiri i shpejtësisë vjen si pasojë e problemeve teknike.
Ushtria ukrainase përdor sistemin e komunikimit satelitor Starlink të SpaceX për të kontrolluar dhe operuar dronët e saj të zbulimit dhe përgjimit. Kur Starlink nuk funksionon me kapacitet të plotë, aftësia e Ukrainës për të mbledhur inteligjencë, për të përdorur dronë përgjues dhe për të ndërmarrë sulme me rreze të gjatë kundër Rusisë dëmtohet.
Ukraina mbështetet në dy sisteme satelitore: Njëri është Starlink i SpaceX, të cilin e përdor për komunikime, forcat tokësore, logjistikë dhe dronë mbrojtës — ata që rrëzojnë dronët që vijnë.
Tjetri është Starshield, i cili kontrollohet nga qeveria e SHBA-së dhe përdoret për qëllime ushtarake sulmuese.
Ukraina bëri të ditur se të dyja sistemet janë kufizuar.
Të premten, kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, foli me këshilltarin dhe të dërguarin e Trump, Jared Kushner, për të diskutuar çështjen e Starlink, tha Zelensky.
Ata diskutuan gjithashtu rreth mbajtjes së një takimi mes ekipeve amerikane dhe ukrainase javën e ardhshme për të vijuar bisedimet për propozimin e fundit të administratës Trump për një marrëveshje me Rusinë për t'i dhënë fund luftës.