Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Tensione dhe përplasje në Tiranë, studentët kërkojnë largimin e Ramës dhe arsim më të mirë

Qindra të rinj dolën në shesh të enjten përpara Ministrisë së Arsimit në kryeqytet, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor. Protesta u shoqërua me incidente të dhunshme dhe ndërhyrje të forcave të rendit.

Të enjten (13.10.), qindra studentë u mblodhën para dikasterit të arsimit në Tiranë, duke theksuar se janë rikthyer për të kërkuar llogari lidhur me premtimet e pambajtura që datojnë që nga viti 2018. Pjesëmarrësit drejtuan akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama, si përgjegjësin kryesor të situatës.

“Ne jemi këtu si rrjedhojë e hesapeve të pambyllura të vitit 2018 dhe ndryshe nga kohë më parë nuk vijmë sot me kërkesa, por vijmë me 1001 arsyet tona për të protestuar dhe për të mos pranuar më negociimin me këtë qeveri”, deklaroi një nga protestuesit. Sipas tyre, konviktet mbeten në kushte të papranueshme, kurrikulat janë të vjetruara, ndërsa mundësitë në tregun e punës pas diplomimit janë zhgënjyese.

Gjatë tubimit, disa nga të pranishmit hodhën gurë, vezë, bojë dhe kapsolla në drejtim të godinës, si dhe dëmtuan mbrojtëset metalike dhe pllakat e trotuareve. Përballë kësaj situate, policia ndërhyri për të shpërndarë turmën përmes përdorimit të gazit lotsjellës dhe autoboteve me ujë, duke shoqëruar disa prej protestuesve në komisariat, ndërsa turma u zhvendos më pas drejt Bashkisë së Tiranës.

Reagimet e politikës

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ndodhej në Luksemburg për konferencën ndërqeveritare kushtuar mbylljes së bisedimeve për kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, socialistët u përfaqësuan nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili e dënoi dhunën duke theksuar se studentët nuk janë protestues me maska që shkatërrojnë dritaret. Edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilësoi ngjarjen si një protestë të orkestruar nga opozita, duke kritikuar përdorimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike.

Në krahun tjetër, përfaqësuesit e opozitës dënuan veprimet e Policisë së Shtetit ndaj të rinjve, duke bërë thirrje që autoritetet të mos ushtrojnë dhunë ndaj brezit që kërkon një të ardhme më të mirë në vend.

Çfarë ndodhi në vitin 2018?

Lëvizja e madhe studentore e cila nisi në dhjetor 2018 dhe zgjati deri në shkurt 2019, u shkaktua fillimisht nga miratimi i VKM Nr. 288 (datë 22.05.2018), e cila sillte tarifa shtesë për provimet e pashlyera, krahas pakënaqësive për infrastrukturën dhe kostot e studimit. Pavarësisht se qeveria atëherë anuloi vendimin, ndryshoi ministren e arsimit dhe përgjysmoi tarifat, protestuesit e sotëm vlerësojnë se cilësia ka rënë dhe se të rinjtë po detyrohen të largohen nga vendi.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)