Uashingtoni ka ftuar shtetet arabe të Gjirit Persik që të bëhen gati për një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane ndaj Iranit, e cila parashikohet të jetë e shkurtër, por shumë e fuqishme. Ky informacion është bërë i ditur nga gazeta The Wall Street Journal, e cila i referohet burimeve pranë bisedimeve për këtë çështje.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, forcat e armatosura të SHBA-së kanë ndërmarrë hapa për të shtuar sigurinë e tyre në rajonin e Lindjes së Mesme, duke përfshirë transferimin e një sistemi kundërajror Patriot nga shteti i Teksasit, si dhe tërheqjen e trupave nga bazat më të rrezikuara nga kundërpërgjigjet e mundshme iraniane.
Këto lëvizje merren si tregues se Uashingtoni dhe Izraeli po shohin mundësinë e një konflikti të ri me autoritetet e Teheranit, në një periudhë kur tensionet rajonale mbeten në nivele të larta.
E pyetur lidhur me këto të dhëna, Shtëpia e Bardhë ka preferuar të mos japë konfirmim apo mohim, duke u mjaftuar me deklaratën se nuk jep komente për strategji apo plane ushtarake të ndjeshme.
Megjithatë, nga ana e administratës amerikane është përsëritur qëndrimi i presidentit Donald Trump lidhur me programin e armatimit bërthamor të Iranit, duke nënvizuar se kreu i shtetit i mban të gjitha alternativat të hapura me synimin që Teherani të mos arrijë kurrë të sigurojë armë bërthamore.
Sipas së përditshmes amerikane, strategjitë e mundshme të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit mund të përfshijnë sulme ndaj qendrave bërthamore, objekteve të energjisë dhe pajisjeve ushtarake iraniane, me qëllim që të dobësohet fuqia e Teheranit dhe të detyrohet udhëheqja e atjeshme t'i rikthehet tryezës së bisedimeve.